Dhjetëra kompani kineze dyshohet se po u japin teste shtatzënie aplikanteve për vende pune, raportoi media shtetërore kineze të hënën.
Prokuroria zbuloi se 168 gra të cilat aplikuan për vende pune në 16 kompani në Nantong, janë testuar jashtëligjshëm.
Ky rast vë në pah kontradiktën në zemër të ekonomisë kineze: Derisa vendi po përpiqet të rrisë normat e ulëta të lindjeve, disa kompani hezitojnë të punësojnë shtatzëna.
Siç raporton media shtetërore, punëdhënësit nuk po i rekrutojnë gratë e moshës së lindjes. Madje raportohet se gratë gjatë intervistës për punë pyeten për planifikim familjar.
Ligji kinez ua ndalon punëdhënësve të administrojnë teste shtatzënie ose të diskriminojnë punëtoret shtatzëna.
Në Nantong, autoritetet u informuan nga një grup publik në internet se disa punëdhënës në qytet kanë kryer teste shtatzënie për punëkërkuesit. Pas bashkëpunimit me grupin, prokuroria nisi hetimet dhe vizitoi dy spitale të mëdha publike dhe një qendër ekzaminimesh mjekësore.
Në raport nuk u bënë të ditur emrat e kompanive dhe as nëse ato janë gjobitur. Sipas ligjit kinez, kompanitë mund të gjobiten deri në 50 mijë juanë (6 mijë e 900 dollarë) për diskriminim gjinor./UBTNews/