UBT News

Kina favorizon diplomacinë ndaj luftës mes Rusisë dhe Ukrainës

Kina të martën i kërkoi Rusisë dhe Ukrainës që të zgjedhin diplomacinë dhe dialogun në vend të luftës.

“Kina ndjen keqardhje për viktimat e raportuara dhe nuk është situata që Kina dëshiron të shohë”, u tha gazetarëve në Pekin, Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, ndërsa fliste për luftën e vazhdueshme në Ukrainë.

Lufta Rusi-Ukrainë hyri në ditën e saj të gjashtë të martën, me raportet e fundit që tregojnë se trupat ruse po shkojnë drejt kryeqytetit Kiev. Të paktën 136 civilë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe më shumë se 600 mijë të tjerë janë larguar nga vendi, sipas zyrtarëve të OKB-së.

“Kina shpreson që të dyja palët të ndjekin dialogun dhe të marrin parasysh shqetësimet e arsyeshme të njëra-tjetrës për të garantuar sigurinë e Evropës”, tha Wang.

Ukraina thotë se më shumë se 350 civilë janë vrarë dhe mbi 1 mijë e 600 janë plagosur gjatë sulmeve nga forcat ruse. Lufta është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia po zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.

Wang shtoi se Kina shpreson që të gjitha palët përkatëse të tregojnë përmbajtje për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

“Kina mbështet dhe inkurajon të gjitha përpjekjet diplomatike në favor të zgjidhjes së krizës në Ukrainë me mjete paqësore”, theksoi ai, duke iu referuar një raundi bisedimesh mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi të hënën.

Të dielën, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit raportoi se dy avionë kinezë hynë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore, ndërsa tetë avionë të tillë kaluan ngushticën e Tajvanit të shtunën pasi një shkatërrues raketash të drejtuar nga ShBA USS Ralph Johnson (DDG-114) lundroi përmes ngushticës së Tajvanit.

Një avion kinez u zbulua duke kaluar atë që Tajvani e quan “zona e identifikimit të mbrojtjes ajrore (ADIZ)” të martën. Avionët ushtarakë kinezë kaluan ADIZ 17 herë muajin e kaluar.

Ndërsa bota fokusohet në luftën Rusi-Ukrainë, po vëzhgohen nga afër gjithashtu lëvizjet e Kinës në lidhje me Tajvanin, të cilin ajo e sheh si një provincë të shkëputur.

Taipei, megjithatë, ka insistuar në pavarësinë e tij që nga viti 1949 dhe mban marrëdhënie diplomatike me të paktën 14 vende. Një delegacion amerikan i ish-zyrtarëve të sigurisë pritet të zbarkojë në Taipei të martën për të diskutuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin Tajvan-ShBA, dhe paqen dhe stabilitetin rajonal./UBTNews/

Exit mobile version