UBT News

Kina falënderon Elon Musk për postimin rreth Tajvanit, por Taipei këmbëngul se ‘liria e vendit të tyre s’është në shitje’

Ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka falënderuar miliarderin Elon Musk për sugjerimet e tij mbi të ardhmen e Tajvanit, por përsëriti thirrjen e Pekinit për “ribashkim paqësor” të ishullit.

Miliarderi sugjeroi se tensionet mund të zgjidheshin duke i dorëzuar Pekinit një pjesë të kontrollit të Tajvanit, duke krijuar një “zonë të veçantë administrative” për Tajvanin. Në një intervistë për Financial Times, ai tha se ndoshta kjo zgjidhje s’do t’i bënte të gjithë të lumtur.

Ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara, Qin Gang, shkroi në Twitter: “Do të doja të falënderoja @elonmusk për thirrjen e tij për paqe në ngushticën e Tajvanit dhe idenë e tij për krijimin e një zone të veçantë administrative për Tajvanin. Në fakt, ribashkimi paqësor dhe një vend, dy sisteme janë parimet tona bazë për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit… dhe qasja më e mirë për realizimin e ribashkimit kombëtar. Me kusht që sovraniteti, siguria dhe interesat e zhvillimit të Kinës të jenë të garantuara, pas ribashkimit Tajvani do të gëzojë një shkallë të lartë autonomie si një rajon i veçantë administrativ dhe një hapësirë e gjerë zhvillimi”.

Megjithatë komentet e tij u pritën ndryshe nga ambasadori de facto i Tajvanit në Washington.

Hsiao Bi-khim tha: “Tajvani shet shumë produkte, por liria dhe demokracia jonë nuk janë në shitje. Çdo propozim i qëndrueshëm për të ardhmen tonë duhet të përcaktohet në mënyrë paqësore, pa detyrime dhe duke respektuar dëshirat demokratike të popullit të Tajvanit”.

Kina i ka ofruar Tajvanit një model autonomie “një vend, dy sisteme” të ngjashëm me atë që ka Hong Kongu./UBTNews/

Exit mobile version