UBT News

Kina e quan situatën në Ukrainë “të rëndë”, por refuzon të kritikojë Rusinë

Kryeministri i Kinës, Li Keqiang, sot e quajti situatën në Ukrainë “të rëndë” dhe ofroi ndihmën e Pekinit për të luajtur një “rol pozitiv” për paqen, ndërsa vazhdoi të refuzojë të kritikojë Rusinë.

Kina ka qëndruar kryesisht në anën e Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës, proces të cilit ajo ka refuzuar t’i referohet si një luftë ose pushtim. SHBA-ja akuzon Pekinin se ka ndihmuar në përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave që vijnë nga Moska.

Kina është ofruar të shërbejë si lehtësuese e bisedimeve midis palëve, megjithëse ka pak përvojë në një rol të tillë dhe nuk ka ngjarë të shihet si një palë neutrale.

“Ne mbështesim dhe inkurajojmë të gjitha përpjekjet që janë të favorshme për një zgjidhje paqësore të krizës”, u tha Li gazetarëve në një konferencë vjetore shtypi. “Detyra urgjente tani është të parandalojmë tensionin nga përshkallëzimi apo edhe dalja jashtë kontrollit”.

Pekini këtë javë tha se po dërgonte ndihma humanitare duke përfshirë ushqime dhe nevoja ditore në vlerë prej 791,000 dollarëve (720,000 €) në Ukrainë, ndërsa vazhdonte të kundërshtonte sanksionet kundër Rusisë, duke u zotuar të vazhdojë bashkëpunimin normal tregtar dhe ekonomik me Moskën.

Li – i cili si udhëheqësi numër 2 i Kinës pas Xi Jinping është kryesisht përgjegjës për mbikëqyrjen e ekonomisë së dytë më të madhe në botë – tha se Kina ishte ende kundër sanksioneve sepse ato do të “dëmtonin rimëkëmbjen ekonomike botërore”.

“Nuk është në interesin e askujt. Kina është e gatshme të bëjë përpjekjet e saj konstruktive në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror dhe promovimin e zhvillimit dhe prosperitetit”, tha Li.

Ai përsëriti gjithashtu përshkroi pozicionin e Kinës se ajo ndjek një “politikë të jashtme të pavarur paqeje” dhe “se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohen”./UBTNews/

Exit mobile version