I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kinë i ka bërë thirrje Kinës që të jetë “më e sinqertë” në lidhje me origjinën e virusit COVID-19.
Këto deklarata të tij erdhën një ditë pasi mediat amerikane raportuan se një agjenci federale ka zbuluar se pandemia mund të ketë rrjedhur nga laboratori në Wuhan.
Ministria e Jashtme e Kinës u përgjigj se origjina e shpërthimit të pandemisë “është rreth shkencës dhe nuk duhet të politizohet”.
Marrëdhëniet Uashington-Pekin kanë qenë të tensionuara qëkur SHBA-ja rrëzoi një balonë të supozuar spiune të Kinës gjatë këtij muaji.
Ambasadori Nicholas Burns deklaroi në një ngjarje të Dhomës së Tregtisë amerikane të hënën se Kina duhet “të jetë më e sinqertë për atë që ndodhi tri vjet më parë në Wuhan mbi origjinën e COVID-19”.
Mediat amerikane raportuan të dielën se një raport nga Departamenti Amerikan i Energjisë kishte konkluduar në një raport të klasifikuar të inteligjencës me “besim të ulët” se virusi ishte rrjedhur aksidentalisht nga një laborator./UBTNews/