Kina po përgatitet të testojë dhjetëra mijëra mostra të gjakut nga qyteti Wuhan si pjesë e një hetimi për origjinën e Covid-19, sipas një zyrtari kinez, transmeton UBT News.
200,000 mostra, përfshirë ato nga muajt e fundit të vitit 2019 u përcaktuan në shkurt të këtij viti nga paneli hetues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë si një burim i mundshëm i informacionit kryesor që mund të ndihmojë në përcaktimin se kur dhe ku virusi kaloi për herë të parë te njerëzit.
Mostrat mbahen në Qendrën e Gjakut në Wuhan dhe mendohet të përfshijnë vitin 2019, duke siguruar mostra të indeve nga një pjesë e madhe e popullsisë në qytetin kinez, ku SARS-CoV-2 mendohet se ka infektuar njerëzit e parë.
Ato “absolutisht do të përmbajnë të dhëna jetësore”, tha Maureen Miller, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin Columbia. Ajo i kërkoi Kinës që të lejojë ekspertë të huaj të vëzhgojnë procesin.
Mostrat, nëse janë ruajtur në mënyrë korrekte, mund të përmbajnë shenja vendimtare të antitrupave të parë të prodhuar nga njerëzit kundër sëmundjes, sipas ekspertëve.
Mostrat madje mund të tregojnë se kush u infektua për herë të parë, ku dhe moshën dhe profesionin e tyre, shtoi Miller, përcjell UBT News.
Një ekspert sugjeroi që mostrat mund të silleshin në Gjenevë, ose në një destinacion tjetër neutral, për të lejuar ekspertët e OBSH -së të merrnin pjesë në testim.
Presidenti Joe Biden, kur mori një version të klasifikuar të një raporti, tha: “Informacioni kritik në lidhje me origjinën e kësaj pandemie ekziston në Republikën Popullore të Kinës, por që nga fillimi, zyrtarët qeveritarë në Kinë kanë punuar për të parandaluar hetuesit dhe anëtarët ndërkombëtarë të komunitetit global të shëndetit publik nga qasja në të”.
Kina ka këmbëngulur se ka qenë transparente dhe e gatshëm për hetimin e OBSH-së./UBTNews/