Kina dhe SHBA-ja ranë dakord të rrisin bashkëpunimin për klimën gjatë dekadës së ardhshme, në një njoftim të papritur në samitin e klimës në Glasgow.
Dy emetuesit më të mëdhenj të dioksidit të karbonit në botë, u zotuan të veprojnë, përmes një deklarate të përbashkët. Në të, thuhet se të dyja palët do të bashkëpunojnë më vendosmëri për të arritur synimin e temperaturës 1,5 gradë celsius, siç kërkohet në marrëveshjen e klimës së Parisit. Njoftohen hapa lidhur me një sërë çështjesh, përfshirë emetimet e metanit dhe tranzicioni në energjinë e pastër dhe dekarbonizimi.
“Mbi bazë të deklaratës së përbashkët SHBA-Kinë që adresonte krizën klimatike në prill të këtij viti në Shangai, deklarata këtë herë formulon më shumë masa të detajuara mbi veprimet që do të merren për të promovuar bashkëpunimin dypalësh dhe për t’i dhënë shtysë fushatës multilaterale”, deklaroi Xie Zhenhua, i dërguari special i Kinës për klimën.
Shkencëtarët kanë thënë se kufizimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë celsius do të ndihmojë të shmangë impaktin e rëndë të klimës. Politikanët dhe aktivistët e mirëpritën deklaratën mes Kinës dhe SHBA-së, e megjithatë reaguan pa entuziazëm.
BE-ja dhe OKB-ja e cilësuan këtë si një hap inkurajues, por aktivistët e Greenpeace thanë se vendet duhet të tregojnë më shumë përkushtim. Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu kinez Xi Jinping pritet të zhvillojnë një takim virtual lidhur më çështjen, javën e ardhshme./A2