Kina akuzoi kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, për deklarata “të gabuara” që nuk ishin të dobishme për mbajtjen e marrëdhënieve të dy vendeve “në rrugën e duhur”.
Ardern mori pjesë në samitin e liderëve të NATO-s në Spanjë këtë javë, duke thënë në një fjalim të mërkurën se Kina ishte bërë “më e sigurt dhe më e gatshme për të sfiduar rregullat dhe normat ndërkombëtare”.
“Ky pohim është i gabuar dhe si rrjedhim për të ardhur keq” tha ambasada kineze në Wellington në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit.
“Është e qartë se një koment i tillë nuk është i dobishëm për thellimin e besimit të ndërsjellë mes dy vendeve, apo për përpjekjet e bëra nga të dy vendet për të mbajtur marrëdhëniet tona dypalëshe në rrugën e duhur”.
Është hera e dytë në një muaj që Kina kundërshton komentet e Ardern.
Në fillim të qershorit, liderja e Zelandës së Re dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden lëshuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur shqetësimin për mundësinë që Kina të krijojë “një prani të vazhdueshme ushtarake në Paqësor”./UBTNews/