UBT News

Kina akuzon SHBA-në për sulm kibernetik

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për infiltrim në Qendrën Kombëtare të Kohës, duke paralajmëruar se këto shkelje mund të ndikojnë në rrjetet e komunikimit, sistemet financiare, furnizimin me energji elektrike dhe orarin standard ndërkombëtar, raporton Reuters.

Në një deklaratë të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës, thuhet se Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) e SHBA-së ka kryer një operacion sulmi kibernetik ndaj kësaj qendre për një periudhë të gjatë.

Ministria thekson se ka zbuluar prova lidhur me të dhënat dhe kredencialet e vjedhura, të cilat datojnë nga viti 2022 dhe u përdorën për spiunimin e pajisjeve mobile dhe sistemeve të rrjetit të punonjësve të qendrës.

Po ashtu, u bë e ditur se agjencia amerikane kishte shfrytëzuar një dobësi në shërbimin e mesazheve të një marke të huaj telefonash inteligjentë për të pasur qasje në pajisjet e stafit në vitin 2022, pa u përmendur emri i markës.

Qendra Kombëtare e Kohës është një institut kërkimor nën Akademinë e Shkencave të Kinës, e cila krijon, mirëmban dhe po ashtu transmeton orarin standard të vendit.

Hetimi i ministrisë ka zbuluar gjithashtu se SHBA-ja ka kryer sulme ndaj sistemeve të brendshme të rrjetit të qendrës, duke theksuar seriozitetin e këtyre sulmeve kibernetike. /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version