Kim Kardashian është përballur me një problem shëndetësor që i ka rikthyer familjes kujtimet e dhimbshme për babain e saj, Robert Kardashian, i cili vdiq nga kanceri i ezofagut në vitin 2003, në moshën 59-vjeçare.
Në trailerin e sezonit të tetë të reality-show-t “The Kardashians”, Kim tregon se është diagnostikuar me ezofagit, një inflamacion ose irritim i shtresës së brendshme të ezofagut.
Në një moment të videos, Kim i tregon ekipit të saj të grimit se ka ezofagit, ndërsa më pas shfaqet e shtrirë në një shtrat spitali, ndërsa merr kujdes mjekësor.
Gjendja ka prekur edhe nënën e saj, Kris Jenner. Një mike e Kim-it e pyet nëse problemi shëndetësor lidhet me të njëjtën sëmundje nga e cila kishte vdekur Roberti.
“Nuk mundem… vetëm kjo më bën të qaj”, dëgjohet të thotë Kris Jenner në trailer.
Kris dhe Robert Kardashian ishin të martuar për 13 vjet dhe kanë katër fëmijë: Kim, Kourtney, Khloé dhe Robert Jr. Çifti u divorcua në vitin 1991.
Robert Kardashian, avokat i njohur për përfshirjen në ekipin mbrojtës të O.J. Simpson në gjyqin e tij për vrasje, vdiq katër vjet para se familja Kardashian të bëhej e njohur në mbarë botën përmes reality-show-t “Keeping Up With the Kardashians”.
Në vitin 2023, Kim kishte kujtuar për GQ një nga bisedat e fundit me të atin para vdekjes së tij, duke treguar se ai i kishte kërkuar të kujdesej për vëllezërit dhe motrat e saj./A.K/
