Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se veprimet e tij në veri dhe sipas tij shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjell në këtë situatë, ku kidnapohen tre policë të Kosovës, brenda territorit të vendit.
Tahiri, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se reagimi i ndërkombëtarëve për këtë rast ishte i butë për shkak të pabesisë së Qeverisë ndaj tyre.
“Ajo që duhet të thuhet sot këtu është se veprimet amatoreske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjellë në përshkallëzim të situatës dhe jemi në kërcënim të sanksioneve të një vendi i cili është më properëndimor dhe proamerikan. Reagimi me vonesë i kryeministrit në çdo situatë të krijuar u pa si një pabesi e qeverisë ndaj partnerëve dhe rrjedhimisht reagimi i tyre ishte i butë”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar nevojën për bashkërendim me faktorin ndërkombëtar në lidhje me depërshkallzimin e situatës në veri.
“Edhe nëse Qeveria harron, populli nuk harron. Kjo porosi që e kemi vendosur është për SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. Po shihini të nderuar deputetë ku jemi sot, dje kemi thënë se po marrim veprime sovrane, ndërsa sot pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, kryeministri flet për nevojën për koordinim dhe habitet pse po rri në heshtje faktori ndërkombëtar. A po e shihni se sa zgjat qëndrueshmëria e qeverisë në raport me një sitautë tepër të rëndë. Andaj nga faktori ndërkombëtar, veçmas ShBA-ja kërkojmë që të bëjë presionin e duhur dhe të lirojë menjëherë tre policët që janë kidnapuar”, ka thënë ai.
Të mërkurën, Policia e Kosovës, ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.