UBT News

Kidman luftoi për të shpëtuar martesën e saj: Ajo nuk e donte këtë ndarje

Pas 19 vitesh martesë, aktorja e njohur Nicole Kidman ka kërkuar zyrtarisht divorc nga këngëtari i muzikës country, Keith Urban.

Vendimi u depozitua më 30 shtator dhe, sipas burimeve pranë çiftit për revistën PEOPLE, ndarja po merr përmasa dramatike.

“Nicole është e lënduar dhe ndjehet e tradhtuar,” tha një burim. “Ajo u përpoq ta shpëtonte martesën dhe besonte se mund ta bënte, por duket se Keith ka vazhduar përpara.”

Në dokumentet e divorcit, Kidman citon “mosmarrëveshje të papajtueshme” si arsye për ndarjen, ndërsa si datë ndarjeje ka vendosur pikërisht ditën e depozitimit të kërkesës.

Megjithëse përfaqësuesit e tyre nuk kanë komentuar zyrtarisht, dokumentet tregojnë se marrëveshjet prindërore janë bërë disa javë para kërkesës për divorc.

Kidman do të ketë kujdestarinë kryesore të vajzave, Sunday Rose (17) dhe Faith Margaret (14), duke kaluar me to 306 ditë në vit, ndërsa Urban do t’i ketë për 59 ditë.

Të dy kanë rënë dakord të marrin vendime të përbashkëta për fëmijët dhe nuk do të paguajnë alimentacion ndaj njëri-tjetrit.

Çifti është zotuar të mos flasë keq për njëri-tjetrin dhe të mbështesë lidhjen e fëmijëve me të dy prindërit. Të dy do të ndjekin gjithashtu një seminar prindëror brenda 60 ditëve nga aplikimi për divorc.

Ndërkohë, burime pranë Urban thonë se ai “ka kaluar një periudhë të vështirë”, ndërsa të njohur të çiftit e përshkruajnë ndarjen si një “largim të ngadaltë dhe jo një krisje të befasishme”. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version