Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, tha se një marrëveshje politike është e domosdoshme për formimin e institucioneve të reja dhe theksoi se përgjegjësia bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje.
Ajo kritikoi qasjen e Albin Kurtit dhe deklaratat e tij lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke shtuar se nuk ka nevojë t’i komentojë më tej.
“Le ta votojnë Albulenën dhe të më testojnë mua. Nëse ti dëshiron ta zgjedhësh kryetarin e Kuvendit që ta nisësh orën demokratike, shko urdhëro te ato parti politike që të kanë ofruar madje edhe emra. Testoji tash ti ata. Pse po kërkon të të testojnë ty? Testoji ti ata, ta shohësh nëse e kanë të mirëqenë propozimin për dy kandidate gra madje. Wshtw njëfarë domosdoshmërie e secilit që ta gjejë fajtorin diku tjetër. Nuk mund të bëhet asnjëherë kryetari i Kuvendit pa marrëveshje politike, sepse kërkohen 61 deputetë që asnjëherë nuk i kanë takuar një partie politike si tërësi. Nëse jo me partitë tjera, është dashur të bëhet marrëveshje me partitë minoritare, sepse janë edhe nënkryetarët e tyre. Ne nuk jemi të obliguar ta votojmë një person, në mendësinë antikushtetuese të të cilit ne nuk e gjejmë veten”, tha ajo.
“Sa i përket prononcimeve të deputetit Kurti, nuk vlerësoj që as kam nevojë më të komentojë, për faktin që ne kemi parashtruar kallëzim penal ndaj tij, sepse mënyra se si ai vazhdon të shkojë në qeveri, t’i shfrytëzojë mjetet e qeverisë, të marrë vendime të kundërligjshme, e bën ploitësisht të padenjë që ta komentojë”, tha ajo.