UBT News

Kia po ndal së prodhuari një nga modelet më të shitura

KIA përjeton riorganizim të madh të ofertës së modeleve, që përfshin ndërprerjen e prodhimit të modeleve të njohur Ceed dhe Ceed SW, ndryshime në motorizimin e modelit Picanto dhe një version më të fuqishëm të modelit Xceed.

Picanto, modeli i dytë më i shitur i markës koreane pas Sportaget, tani do të ofrohet vetëm me një motor benzinë 1.0-litërsh me tre cilindra, me fuqi 67 kuaj/fuqi (KF). Kështu, hiqen nga oferta motori i mëparshëm 1.0 me 62 KF dhe motori 1.2-litërsh me katër cilindra e 76 kuaj/fuqi.

Xceed, versioni crossover, në krye të gamës merr një motor të ri më të fuqishëm, benzinë 1.6-litërsh me katër cilindra dhe 177 kuaj/fuqi. Motori aktual bazë 1.5-litërsh me 158 KF zëvendësohet me një të ri hibrid 1.0-litërsh me tre cilindra, që jep 113 kuaj/fuqi.

Lajmi më i madh është ndërprerja e plotë e prodhimit të modelit Ceed dhe versionit karavan Ceed SW. Një zëdhënës i KIA-s ka konfirmuar se modelet, të prodhuar në fabrikën e Kia-s në Zilina, Sllovaki, nuk do të kenë pasardhës direkt, as modeli Proceed, prodhimi i të cilit përfundoi që në dhjetor 2024.

Mendohet se boshllëkun e lënë nga këto tre modele do ta mbushë modeli i ri K4, i cili pritet të vijë në Evropë më vonë, edhe pse ende nuk ka konfirmim zyrtar.  Ky është një model i ri i KIA-s që do të konkurrojë Volkswagen Golfin, dhe aktualisht prodhohet në Meksikë për tregun e Amerikës së Veriut, ndërsa njësi testuese janë parë tashmë në rrugët evropiane.

Me ndërprerjen e prodhimit të Ceedit, lirohen kapacitete prodhimi në fabrikën e Zilinas për modelet elektrike të ardhshme. Zëdhënësi ka konfirmuar se kjo hapësirë do t’i dedikohet modelit të ri elektrik EV4, modeli i parë elektrik i Kia-s në segmentin C, i cili do të fillojë së shpejti me shpërndarjen.

Gjithashtu, nga fillimi i 2026 në të njëjtën fabrikë fillon prodhimi edhe për EV2, modeli i ri elektrik fillestar i KIA-s. Koncepti i EV2 është prezantuar dhe do të jetë teknologjikisht i ngjashëm me një model të Hyundai-t, i cili pritet të quhet Ioniq 2 dhe do të prezantohet në Panairin e Automjeteve në Mynih.

Ceed u prezantua më 2006 dhe gjatë ekzistencës së tij ka qenë një nga modelet më të shitura të markës, veçanërisht në Evropë, me një mesatare vjetore prej rreth 80 mijë njësish. Më pas erdhën versionet Ceed SW dhe Proceed, ndërsa Xceed (versioni crossover i Ceed) u prezantua në vitin 2019.

Exit mobile version