Një person ka vdekur dhe një tjetër është në gjendje të rëndë pas sulmeve të rënda që goditën qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, të hënën, konfirmoi kreu i administrates rajonale të Kharkivit, Oleh Syniehubov.
Syniehubov tha se 65 raste të bombardimeve kundër qytetit kanë ndodhur vetëm të hënën. Sipas tij, luftimet po vazhdojnë në Izium, Balaklia dhe Dergachi, tri qytete në rajonin e Kharkiv.
Ndërkohë, 600 ndërtesa banimi në qytet janë shkatërruar në sulmet ruse që nga fillimi i luftës, tha të hënën kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov, duke shtuar se shtëpitë nuk mund të riparohen.
“Njerëzit tashmë kanë humbur shtëpitë e tyre. 50 shkolla dhe një numër i institucioneve mjekësore, përfshirë edhe maternitetet, janë bombarduar në Kharkiv”, deklaroi ai.
Volodymyr Matsokin, nënkryetari i bashkisë së Izium, tha se qyteti i tij ka qenë “nën rrethim për dy javë, pa ujë, pa energji elektrike, ngrohje, ushqim, ilaçe, komunikim”./UBTNews/