Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei ka paralajmëruar presidentin e SHBA-së, Donald Trump për “dëme të pariparueshme” në rast se ushtria amerikane ndërhynte në konfliktin e Teheranit me Izraelin, sipas BBC-së.
Khamenei tha në një mesazh në televizionin shtetëror se Irani nuk do të dorëzohej, pas paralajmërimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të hequr dorë.
Televizioni shtetëror iranian transmetoi mesazhin e plotë të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei.
“Amerikanët dhe ata që janë të njohur me politikën e këtij rajoni – e dinë se përfshirja e SHBA-së në këtë çështje – do të ishte tërësisht në dëm të saj dhe ajo do të pësonte një goditje”, tha Khamenei.
“Një goditje që do të jetë shumë më dëmtuese se çdo dëm që mund t’i vijë Iranit”, theksoi ai.
“Kërkesa e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për dorëzimin e Iranit është irracionale”, tha Khamenei – duke shtuar se kërcënimet nuk kishin ndikim në mendimet apo sjelljen e kombit iranian./atsh