Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot ka shprehur shqetësim për kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit, i cili ka marrë vendim ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
KGJK ka potencuar se tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe se i dënojnë.
“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm. Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, thuhet në reagim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është deklaruar pas dërgimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq në arrest shtëpiak, për çka ka thënë se është kureshtar të di se cilët janë prokurori dhe gjyqtari që e kanë liruar një të paraburgosur për terrorizëm. Kurti në një konferencë për media ka shprehur habinë e tij se si një i paraburgosur për terrorizëm dërgohet arrest shtëpiak.