Këshilli Gjyqësor i Kosovës të mërkurën ka dorëzuar kërkesën tek Instituti i Avokatit të Popullit që ta çojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për pagat në sektorin publik.
KGJK-ja konsideron se ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për gjykatat, rekomandimet e Këshillit të Evropës mbi pavarësinë e gjyqësorit, opinionin e Këshillit konsultativ të gjyqtarëve evropianë dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 203/19.
“Prandaj Këshilli kërkoi nga Avokati i Popullit që në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore të ndërmarrë veprime të nevojshme për adresimin e kësaj kërkese në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Ligji i pagave është miratuar në fund të vitit të shkuar. Vlera e koeficientit prej 105 eurosh u caktua në javën e dytë të shkurtit me miratimin e ndryshimeve në buxhet. Në këtë ligj paga më e lartë do të jetë rreth 1900 euro, ajo e presidentit. Gjyqtarët dhe zyrtarët në drejtësi paguheshin më shumë më herët.
Me vendim para Ligjit të pagave, Qeveria Kurti shfuqizoi vendimin e para disa vitesh të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave të gjyqësorit duke i kthyer ato në vlerën paraprake. Gjyqësori është ankuar në gjykata ndaj vendimit. Vendimi për ulje pagash është pezulluar.
Janë mbi 15 sindikata e institucione që janë ankuar tek Avokati i Popullit për Ligjin e pagave.