Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë takimit të 280-të, si pikë të veçantë ka diskutuar situatën e krijuar në sistemin gjyqësor si pasojë e grevës së një pjese të punonjësve të administratës.
Kryesuesi i informoi anëtarët e Këshillit për aktivitetet e ndërmarra me qëllim të ofrimit të mbështetjes së administratës, përfshirë:
- takimet e përbashkëta me Këshillin Grevist të Pallatit të Drejtësisë;
- takimet me Kryesinë e Sindikatës së Judikaturës;
- takimet e përbashkëta me Kryesuesin e KPK, përfaqësuesit e Sindikatës dhe me Ministren e Drejtësisë;
- takimin me Grupin punues të Ministrisë së Administratës për Punë të Brendshme dhe Administratë Publike;
- shkresën-komentet e përbashkëta me Këshillin Prokurorial të dërguara në lidhje me draft Ligjin për pagat ku janë adresuar shqetësimet e Këshillave dhe të punonjësve të administratës;
- takimin me grupin grevist në Pallatin e Drejtësisë ku janë dëgjuar drejtpërdrejt kërkesat e tyre, me ç’rast është shprehur mbështetje për kërkesat legjitime të Sindikatës nga ana e Këshillit dhe Sekretariatit. Edhe gjatë këtij takimi është përsëritur kërkesa Këshillit drejtuar Sindikatës përmes komunikatës së datës 1 mars 2022 që të pezullohet greva;
- ftesën nga Ministria e Drejtësisë për përfaqësuesit e KGJK dhe të Sindikatës për pjesëmarrje në takimin e grupit punues për hartimin e koncept dokumentit për Ligjin për Administratën Gjyqësore, që do të mbahet me datën 21 dhe 22 mars 2022.
Pas diskutimeve, Këshilli përsëriti gatishmërinë dhe përkushtimin për të mbështetur kërkesat legjitime të punonjësve të administratës, por kërkoi që Greva të ndërpritet dhe t’i jepet hapësirë institucioneve për realizim të kërkesave.
Punonjësit nuk duhet të heqin dorë nga kërkesat deri në realizimin e plotë, por Greva është veprim sindikal nga veprimet e fundit që duhet të ndërmerret, aq më tepër që po mbahet në rrethana të jashtëzakonshme siç është pandemia COVID-19, që ndërlidhet me nenin 15 (1,2) të Ligjit për Greva.
Gjithashtu, Këshilli kërkoi nga Sekretariati që menjëherë të koordinohen me menaxhmentin e gjykatave dhe bashkërisht të përcaktojnë se cilat janë punët esenciale të cilat edhe bazuar në Ligjin për Greva duhet të kryhen edhe gjatë mbajtjes së grevës.