Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka lëshuar një komunikatë për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës që përfundoi me mbylljen e gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit.
KFOR thotë se ishte informuar pak para se të niste operacioni, ndërsa tha se s’ka pasë personel të përfshirë në aksion. KFOR tha se pret konsultime me kohë nga Policia e Kosovës për aksione të tilla.
“KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve të liK-së kundër degëve të Bankës Postanska Stedionica të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.
KFOR-i thotë se vazhdon të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja, duke ofruar kornizën e sigurisë të nevojshme që diplomacia të ecë përpara.
“Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, përfundon KFOR.
Aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës e kanë cilësuar veprime të njëanshëm që mund të çojë në tensione edhe SHBA, Bashkimi Evropian dhe Mbrerëria e Bashkuar.