Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka shtuar masat e sigurisë në Zubin Potok pas sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.
“Pas sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok, Kosovë, misioni KFOR i udhëhequr nga NATO ka rritur masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike. Komanda Rajonale Lindje mbetet e gatshme për të ofruar mbështetje sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka shkruar KFOR-i në Facebook.
Mbrëmjen e 29 nëntorit ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.
Shpërthimi ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se sulmi është kriminal e terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sulmi ka pasur synim dëmtimin e infrastrukturës “mbase edhe më të rëndësishmen që kemi”.
Prej Ibër-Lepencit furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të Kosovës, gjithashtu Koorporata Energjetike e Kosovës.