Njësitet e Misionit Paqeruajtës, KFOR, kanë arritur në zonën neutrale mes kufirit Kosovë – Serbi, dhe po ashtu në zonën ku gjenden Njësia Speciale e Kosovës.
Mediet kosovare raportojnë se në vend shihen ushtarë amerikanë, polakë dhe kanadezë duke patrulluar.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Mentor Vrajolli, thotë se ruajtjen dhe mbrojtjen e territorit të Kosovës është në mandatin e misionit të NATO-s në Kosovë, që janë trupat e KFOR-it.
Ai thekson se është skajshëm e pabesueshme që KFOR-i do të toleronte hyrjen e forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë.
“Gjasat që një gjë e tillë të ndodhë është pothuajse e paimagjinueshme. Ndërkaq, në aspektin sesa preket siguria, unë mendoj që Kosova nuk preket shumë në ato pika kufitare, sepse ato pika edhe ashtu nuk kanë qenë aq strategjike për të. Pikat kyçe që janë më strategjike për Kosovën, janë të lira. Pra, pika në Merdare është e lirë për qarkullim. Në aspektin e sigurisë, ekonomik e gjithë kjo nuk shkakton telashe shumë. Por, kjo situatë mund t’i prekë vet serbët që po protestojnë, sepse për ta është rrugë esenciale pjesa ku janë pikat kufitare në veri”, thotë Vrajolli për RFE.