Misioni paqëruajtës në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se dje herët në mëngjes, gjenerali turk Ozkan Ulutas është njoftuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës, për një inspektim teknik të Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se nuk do të hezitojnë të trajtojnë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së.
“Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme, të palekundur në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”, thuhet në njoftim.
Sipas KFOR-it, çdo vendim në lidhje me hapjen e Urës duhet të merret në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet më tutje në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i ka një qëndrim të dukshëm dhe fleksibël.
KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë./UBTNews/