UBT News

Kevin Spacey flet për jetën pas skandaleve dhe gjendjen financiare

Aktori i njohur amerikan, Kevin Spacey, ka folur hapur për gjendjen e tij financiare dhe jetën pas skandaleve që e vunë në qendër të mediave ndërkombëtare.

Ai u lirua përfundimisht nga akuzat për sulm seksual të ngritura nga katër burra në Mbretërinë e Bashkuar, por pranon se vitet e fundit kanë qenë “astronomike” nga pikëpamja e shpenzimeve.

“Unë jetoj në hotele, përdor apartamente Airbnb dhe shkoj aty ku është puna. Fjalë për fjalë nuk kam shtëpi,” tha Spacey për The Telegraph, duke shtuar se kjo është mënyra se si po përpiqet të menaxhojë situatën e tij. Ai shtoi se gjendja e tij financiare nuk është e shkëlqyer, megjithatë falimentimi nuk ka ndodhur: “Kisha shumë pak të ardhura dhe shumë shpenzime.”

Aktori komentoi për bojkotin që përjetoi në Hollywood dhe mënyrën si po e kapërcen atë: “Në një mënyrë të çuditshme, ndihem sikur jam kthyer aty ku fillova… gjithçka është në magazinë dhe shpresoj që një ditë të vendos se ku dua të vendosem përsëri.”

Spacey është akuzuar nga mbi 30 burra, përfshirë Anthony Rapp, për sjellje të papërshtatshme ose sulm seksual, me akuzat që dolën në vitin 2017. Si pasojë, Netflix e largoi nga seriali “House of Cards”, ku u zëvendësua nga Robin Wright.

Në korrik 2023, ai u lirua nga akuzat në Mbretërinë e Bashkuar dhe në një padi të vitit 2022 në Nju Jork u shpall i pafajshëm. Gjatë dokumentarit “Spacey Unmasked” në 2024, ai mohoi çdo shkelje, duke deklaruar se nuk mund të lejonte të sulmohej pa bazë.

Në maj të këtij viti, Spacey pranoi një çmim për arritje jetësore në Kanë, duke përshkruar vitet e fundit si sfiduese, por të mbushura me mësime dhe përvojë personale. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version