Me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen elektronike në të cilën ka miratuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2021 dhe vendime tjera të fushave dhe përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit ka miratuar Planin e Punës së Qeverisë për vitin 2021 dhe Planin Indikativ të Punës së Qeverisë për vitet 2022 dhe 2023. Bashkangjitur me Planin e Punës, Qeveria ka miratuar edhe Programin Legjislativ dhe Planin e Dokumenteve Strategjike për vitin 2021.
Në mbledhjen e djeshme, kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Udhëzimin Administrativ për Përdorimin e Njësive Matëse Ligjore. Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohen njësitë matëse ligjore që përdoren në Republikën e Kosovës. Gjithashtu rregullohet mënyra e përdorimit të tyre, madhësia, emërtimi dhe simbolet e këtyre njësive matëse. Udhëzimi Administrativ zbatohet për mjetet matëse të përdorura, matjet e bëra dhe treguesit e sasisë të shprehura në njësi matëse.
“Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 18/48 të datës 07.12.2020. Me ndryshimet e bëra shtyhet afati i paraparë për paraqitjen e analizës/studimit nga Grupi punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, deri me datën 15 prill 2021”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga presidenti i Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Drejtësisë, për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile me Maqedoninë e Veriut.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për aprovim të reduktimit dhe ri-destinimit të alokimeve të lira nga lista e projekteve kapitale të pa shpenzuara, të të gjitha projekteve me fonde të lira nga Agjenci Kosovare e Privatizimit, bazuar në regjistrat kontabël aktual, deri në vlerën e 17,456,665.27 euro, dhe përdorimi i tyre për të rimbursuar shpenzimet e ndodhura nga programi i rimëkëmbjes ekonomik.
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për aprovimin e mjeteve financiare në shumë prej 1,047,710.96 euro për Agjencionin për Shërbimet e Navigimit Ajror, për mbulimin e deficitit të shkaktuar nga mjetet e pa mjaftueshme të mbledhura nga të hyrat e dedikuara si burime të financimit të buxhetit, të financuara përkohësisht nga granti qeveritar./UBTNews