Emiratet e Bashkuara Arabe kryesojnë listën për shpejtësinë e internetit, ndërsa për internetin fiks i prin Singapori.
Këto të dhëna dalin nga Indeksi Global i Speedtest, i cili përfshin renditjen e shpejtësisë së internetit për disa nga vendet në botë.
Sipas raportit, Emiratet e Bashkuara udhëheqin listën për internetin mobil me 584.97 Mbps, ndjekur nga Katari me 507.47 Mbps dhe Kuvajti me 413.57 Mbps. Për internetin fiks, Singapori kryeson me 386.96 Mbps, pastaj Kili me 332.41 Mbps, Hong Kongu me 324.97 Mbps.
Indeksi përfshin edhe të dhënat për internetin mobil më të shpejtë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë internet mobil me shpejtësi 161.53 Mbps, ndërsa Serbia prin për internetin fiks në rajon me 92.21 Mbps.
Bosnja e Hercegovina ka internetin më të ngadaltë, me 29.65 Mbps në celularë dhe 35.71 Mbps për internetin fiks. Sa i përket Kosovës, thuhet se interneti mobil ka shpejtësi 97.43 Mbps (renditet në vendin e 45-të), ndërsa interneti fiks 82.24 Mbps (renditet në vendin e 82-të).
Shqipëria ka internet mobil me shpejtësi 104.11 Mbps (renditet në vendin e 41-të) dhe internet fiks 84.64 Mbps (renditet në vendin e 76-të).