Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi dje rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjës me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime.
Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë u prezantua dje në seancën e Asamblesë së Përgjithshme me temën “Kultura e paqes”.
Projekt-rezoluta i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara të krijojë një program informacioni të titulluar “Gjenocidi në Srebrenicë dhe Kombet e Bashkuara” për të filluar përgatitjet për 30-vjetorin e përkujtimit në 2025 dhe më tej i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm t’u dërgojë një rezolutë të gjithë anëtarëve shteteve, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, thuhet në projekt-rezolutën.
Në preambulën e tekstit thuhet se “përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”. Për miratimin e projekt-rezolutës kërkohej një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.
Pro miratimit të projekt-rezolutës, ndër tjera, votuan Shqipëria, Australia, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Sllovenia.
Kurse, kundër votuan Serbia, Siria, Kina, Rusia, Bjellorusia, Hungaria, Dominika, Kuba, Antigua, Mali, Eritrea.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Ajo konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.