Kosova duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 30 shteteve për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës. Pas dorëzimit të aplikacionit gjatë të enjtes, shqyrtimi i të cilit nuk pritet të vonojë, institucioneve kosovare po iu kërkohet dinamikë më e madhe në diplomaci për sigurimin e votave për anëtarësim e Këshill të Evropës.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Kosova plotëson gjitha kriteret teknike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Duke dhënë detaje për procedurat e anëtarësimit në Këshill të Evropës, Shala thotë se aplikimin e Kosovës do ta shqyrtojë Komiteti i Ministrave në kuadër të Këshillit të Evropës dhe në rast të pranimit do t’i dërgojë ftesë Kosovës dhe kjo e fundit do ta ratifikojë si marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave në Kuvend.
“Kjo kërkesë e Kosovës do të shqyrtohet nga ana e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili përbëhet nga 45 shtete anëtare, pasi Rusia nuk është më shtet anëtar. Ky komitet përbëhet nga ministrat e punëve të jashtme të shteteve anëtare ose të deleguarve të tyre dhe të njëjtit do të shqyrtojnë kërkesën dhe do të vendosin nëse Kosovës do t’i dërgojnë ftesë për anëtarësim ose jo. Ligjërisht nuk kërkohet që komiteti i ministrave të ketë ndonjë formë të bashkëpunimit në Asamblenë Parlamentare të KE-së, por praktikisht në disa raste ndodh të ketë një lloj konsultimi mes komitetit të ministrave dhe asamblesë për ndonjë shtet të caktuar… Kërkohen votat e dy të tretave të anëtarëve të këtij komiteti, kjo i bie që duhet të kemi përkrahjen e të paktën 30 shteteve që përfaqësohen në komitetin e ministrave. Në rastin konkret nëse jepet “drita e gjelbër”, aprovon kërkesën e Kosovës dhe i dërgon Kosovës ftesën për aplikim, aty përcaktohen kushtet e anëtarësimit, aspektet financiare dhe gjitha çështjet tjera. Kosova këtë ftesë të komitetit të ministrave e shqyrton dhe sipas Kushtetutës, neni 18 kërkohet që Kuvendi të ratifikojë me dy të tretat marrëveshjen për anëtarësim dhe rastin konkret do të konsideroheshim shtet anëtar i Këshillit të Evropës me të drejta të plota”, tha ai.
Shala thotë se shqyrtimi i aplikimit të Kosovës nuk pritet të vonohet nga ana e Komitetit të Këshillit të Evropës.
“Nuk e di realisht sa mund të flasim për datat, pasi varet edhe prej dinamikës së punës që ka vetë komiteti i ministrave dhe varet edhe nga fakti se a vendosin ata të ketë një formë të konsultimit edhe me Asamblenë Parlamentare apo jo. Nuk dihet kur do të trajtojnë dhe a do të jetë ndër prioritet e para kjo kërkesë që do të trajtohet nga ana e Komitetit të Ministrave. Por nuk duhet se do të jetë problematike aspekti procedural, aspekti i kohëzgjatjes së shqyrtimit të aplikacionit të Kosovës… Po besoj se institucionet e Kosovës vetëm e kanë bërë një lobim deri tash në kuptim të shteteve që duhet të na përkrahin dhe të jemi të gatshëm që aplikacioni jonë të ketë sukses në Komitetin e Ministrave në Këshill të Evropës. Mirëpo, deri në ditën e fundit duhet të bëhet lobim diplomatik që të arrihet që të paktën 30 shtete në na përkrahin”, tha Shala.
Ai thekson se Kosova i plotëson gjitha kriteret për të qenë në Këshill të Evropës, madje është më demokratike se disa shtete anëtare.
“Nëse i marrim parasysh shtetet e tjera që janë pranuar në Këshillin e Evropës, për shembull, Armenia dhe Serbia, të cilat qartazi janë shtete jo më demokratike se sa Kosova, veçanërisht nëse krahasohemi me Serbinë, Kosova është shumë më demokratike dhe ka një nivel më të lartë të sundimit të ligjit se sa Serbia. Por duhet pasur parasysh se të njëjtat janë pranuar në kohë tjera dhe jo në këtë kohë. Në nivel të përgjithshëm në raport me këto shtete Kosova qëndron shumë më mirë dhe do të duhej të konsiderohej se i plotëson kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës. Por përkundër që vendimmarrja në rastin konkret duhet të jetë profesionale për tu konstatuar se Kosova i plotëson kriteret apo jo, por prapëseprapë vendimmarrja është politike”, deklaron ai.
Ndërkohë, deklaron se përveç fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes anëtarësimit në Këshill të Evropës përfitojnë edhe qytetarët e Kosovës.
“Përfituesi më i madh do të jetë vetë qytetari i Republikës së Kosovës, pasi do të ketë edhe një adresë ndërkombëtare ku do të ketë të drejtë të ankohet për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Në rastin konkret, kërkohet shterja e të gjitha mjeteve të brendshme, pra kjo i bie që të shqyrtohet rasti edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe nëse pala është e pakënaqur dhe konsideron se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, ai do të ketë të drejtë të ankohen në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, siç e njohim ne Gjykata e Strasburgut”, përfundon ai.
Kosova sot edhe zyrtarisht dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshill të Evropës, përmes ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla./KP