Këtu janë disa nga çështjet e BE-së që do të jenë në tryezën e diskutimit këtë vit.
1. Problemet pas-Brexit në Irlandën e Veriut
Gjashtë vjet pas referendumit të Brexit dhe një vit që kur ndarja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE hyri në fuqi, çështja po merr ende një kohë të konsiderueshme në Bruksel. Pika kryesore e diskutimit është rreth çështjeve tregtare në Irlandën e Veriut.
Brexit bëri që Londra të nënshkruajë Protokollin e Irlandës së Veriut, i cili e mban Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët të mallrave të BE-së.
Brukseli kërkon kontroll rregullator mbi atë që hyn në treg, kështu që protokolli parashikonte kontrolle për mallrat që mbërrinin në Irlandën e Veriut nga kontinenti britanik.
Pra, për të shmangur një kufi midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, Brexit krijoi një kufi de-fakto në Detin Irlandez, raporton Euronews, transmeton UBT News.
Londra, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes, pretendon se protokolli i ka ngarkuar bizneset me dokumente shtesë. Mbretëria e Bashkuar dëshiron të rinegociojë protokollin, gjë që Brukseli e ka hedhur poshtë. Në fund të vitit 2021, çështja duket se do të jetë për diskutim edhe në vitin 2022.
Por të dyja palët shpresojnë për një marrëveshje të shpejtë!
2. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane
Marrëveshja e Gjelbër Evropiane është politika kryesore e Brukselit për ta bërë klimën e BE-së neutrale deri në vitin 2050.
Në vitin 2022, pritet të dalë një propozim i ri për emetimet e CO2 për automjetet e rënda. Gjithashtu do të diskutohet edhe për tranzicionin e energjisë.
Roli i energjisë bërthamore poashtu do të shfaqet shumë në diskutime.
3. Ligje për frenimin e gjigantëve të teknologjisë
BE-ja mund të hapë një epokë të re për gjigantët e teknologjisë në vitin 2022.
Shqetësimi në rritje për rolin e mediave sociale në polarizimin e komuniteteve dhe përhapjen e dezinformatave ka bërë që BE-ja të ndjek me shpejtësi legjislacionin për të frenuar kompani si Meta, e njohur më parë si Facebook.
Akti i Shërbimeve Dixhitale dhe Akti i Tregjeve Dixhitale janë një prioritet kryesor për presidencën gjashtëmujore franceze të BE-së që fillon në janar, siç ka deklaruar tashmë presidenti Emmanuel Macron. Presidenti francez dëshiron të “transformojë Evropën në një fuqi dixhitale”./UBTNews/