Studimet shkencore, kanë konfirmuar se salca e domates e gatuar në shtëpi, përmirëson aktivitetin e baktereve të mira në stomak.
Salca e domates është ndër ushqimet më të mira jo vetëm në aspekt shëndetësor, por edhe praktik sepse plotëson në shije dhe aromë gatime të tjera të larmishme.
Deri më tani kemi mësuar që bakteret e mira në stomak duhen stimuluar nga konsumi i ushqimeve të pasura me probiotikë siç janë kosi dhe kefiri.
Pasuria e salcës së domates i motivoi shkencëtarët e Universitetit Politeknik të Valencias në Spanjë, të analizonin ndërveprimin e baktereve të mira me antioksidantët.
Specifikisht, shkencëtarët analizuan mënyrën se si salca e domates – e cila është e pasur me antioksidantë- reagon në një ambient të pasur me baktere të mira në stomak.
Antioksidantët dhe probiotikët
Salca e domateve vlerësohet si një ushqim mjaft i shëndetshëm. AgroWeb.org po nënkupton salcën e domates të përgatitur vetë në shtëpi, pasi kësaj i garantohet cilësia dhe siguria.
Procesi i zierjes së domateve mundëson eliminimin e plotë të çdo substance që mund të gjendet tek domatet e gjalla. Ky fakt duhet t’i qetësojë të gjithë konsumatorët mbi sigurinë e salcës së gatuar të domateve.
Salca e domateve përmban antioksidantë që i mbajnë qelizat të shëndetshme. Sipas studimit që disponon AgroWeb.org ekipi shkencor zbuloi se antioksidantët tek salca e domates përmirësonin efektet mirëbërëse të baktereve të mira në stomak.
Në këtë aspekt, shkencëtarët thanë se gatimi i salcës është me efikas në përmirësimin e shëndetit të stomakut.
Gatimi transformon praninë e antioksidantëve në salcë
Gatimi ruan vlerat e antioksidantëve gjatë tretjes duke u dhënë më shumë mundësi për t’u përthithur nga gjaku.
Nga ana tjetër, shkencëtarët zbuluan se servirja e ushqimeve të pasura me probiotikë duke i shoqëruar me salcë domatesh përmirëson efektin e tyre.
Një larmi ushqimesh të tilla gjithashtu lehtëson qasjen e antioksidantëve në gjak.
Shkencëtarët arritën në konkluzionin se industria ushqimore duhet të jetë më e kujdesshme në dy aspekte.
Së pari, duhet treguar më shumë vëmendje për rolin e gatimit në transformimet kimike në ushqyesit e ndryshëm.
Së dyti, duhet pasur në konsideratë ndikimi i procesit të tretjes në ushqyesit e marrë.
Ndërgjegjësimi i industrisë ushqimore për këto dy aspekte ndihmon në krijimin e ushqimeve vërtetë funksionale për mirëqenien. /AgroWeb.org