UBT News

Këtë vit u kërcënuan 11 gazetarë në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, i është drejtuar sistemit të drejtësisë me një kërkesë, përkatësisht prokurorëve dhe gjyqtarëve, që t’i trajtojnë me seriozitet me të madh rastet e dhunës ndaj gazetarëve.

Siç ka bërë të ditur kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, në pesë vjetët e fundit janë regjistruar 120 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve, e vetëm këtë vit 11 sosh.

“Rritja e sulmeve ndaj gazetarëve kërkon reagim urgjent dhe adekuat nga ana e sistemit të drejtësisë”, deklaroi ai.

Ai ka thënë se AGK-ja e vlerëson miratimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, i cili parasheh që rastet e gazetarëve të trajtohen brenda një afati të shkurtër kohor.

“Përkundër këtyre zhvillimeve pozitive, shqetësimet tona kryesore mbesin kualifikimi i gabuar i veprave penale nga ana e prokurorëve ndaj sulmuesve të gazetarëve, kryesisht duke përzgjedhur vepra më të lehta penale dhe zvarritja e rasteve në gjykata dhe dënimet e ulëta”, deklaroi ai tutje.

Exit mobile version