Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar nga qeveria që të distanciohet nga deklaratat e zëvendësminitrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, i cili tha se ‘prokurorët janë të përfshirë në veprime kriminale’.
“Përkundër bashkëpunimit të deritashëm reciprok në procese të ndryshme me Ministrinë e Drejtësisë, siç janë: rishikimi funksional, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe shprehjes së vullnetit të mirë të sistemit prokurorial për ta forcuar bashkëpunimin në avancim të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, deklaratat e fundit, të bëra nga Zëvendësministri i Drejtësisë, i cili i ka quajtur prokurorët të involvuar në veprimtari kriminale, e bëjnë të pamundur bashkëpunimin ndërinstitucional. Andaj, në takimin e sotëm të Grupit punues për ndryshime ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësuesit e sistemit prokurorial kanë kërkuar nga pushteti ekzekutiv, respektivisht nga Ministria e Drejtësisë që të distancohet nga deklaratat e zëvendësministrit, distancim ky, që do t’i hapte rrugë bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë institucional”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial.
Këshilli Prokurorial e ka bërë të ditur qëndrimin e vet para grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë, duke i quajtur deklaratat e Sallahut si gjuhë të papranueshme, të paprecedentë dhe linçuese.