Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri një rezolutë të propozuar nga SHBA që lehtëson ndihmën humanitare për Afganistanin i cili është në prag të kolapsit ekonomik, pasi vendet i kanë ngrirë fondet pas ardhjes së talibanëve në pushtet.
Rezoluta është hapi i parë i OKB-së pas disa muajsh grindjeje se si të shmanget një katastrofë humanitare pas krizës ekonomike në Afganistan që kur taliabanët u kthyen në pushtet në mes të gushtit.
Nga ajo kohë, miliarda dollarë ndihma dhe asete janë ngrirë nga Perëndimi në atë që OKB-ja e ka përshkruar si një “goditje të paprecedentë” për ekonominë afgane të varur nga ndihmat.
Për muaj të tërë, vëzhguesit kanë paralajmëruar se miliona njerëz përballen me një zgjedhje midis urisë ose migrimit gjatë një krize të kombinuar ku mungojnë ushqimi, karburanti dhe paratë.
Rezoluta thotë, “Pagesa e fondeve, mjeteve të tjera financiare ose burimeve ekonomike, si dhe ofrimi i mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për të siguruar dhënien në kohë të një ndihme të tillë ose për të mbështetur aktivitete të tilla, lejohen”.
“Ndihma humanitare dhe ndihma për shpëtimin e jetës duhet të jenë në gjendje të arrijnë te populli afgan pa asnjë pengesë”, kishte thënë të hënën ambasadori i Kinës në OKB, Zhang Jun./UBTNews/