Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që kërkon një armëpushim në Gaza për pjesën tjetër të Ramazanit.
Muaji i shenjtë mysliman filloi më 10 mars dhe do të përfundojë më 9 prill – që do të thotë se këshilli po bën thirrje për një armëpushim dyjavor, megjithëse propozimi thoshte se pauza në luftime duhet të çojë “në një armëpushim të qëndrueshëm të përhershëm”.
SHBA abstenoi nga votimi, ndërsa 14 anëtarë të tjerë të këshillit – përfshirë Rusinë, Kinën dhe Britaninë e Madhe – votuan pro.
Rezoluta kërkon gjithashtu lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve – që nuk lidhen me një afat kohor – dhe “thekson nevojën urgjente për të zgjeruar rrjedhën e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës”.
Pas votimit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu anuloi një vizitë të planifikuar të delegacionit në Uashington pasi “SHBA-ja u tërhoq nga pozicioni i saj i qëndrueshëm”.
Në një deklaratë, zyra e Netanyahut tha se “SHBA nuk vuri veton ndaj tekstit të ri që bën thirrje për një armëpushim pa kushtin e lirimit të të rrëmbyerve” dhe e quajti abstenimin amerikan një “tërheqje të qartë”.
“Kjo tërheqje dëmton përpjekjet e luftës dhe përpjekjet për lirimin e pengjeve, sepse i jep Hamasit shpresë se presioni ndërkombëtar do t’i lejojë ata të pranojnë një armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë”, tha zyra.
Delegacioni izraelit do t’u prezantonte zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë planet për një pushtim tokësor të pritshëm të qytetit strategjik Rafah të Gazës, ku më shumë se një milion civilë palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta.
Ndërkohë, Hamasi mirëpriti rezolutën e OKB-së dhe tha se ajo “pohon gatishmërinë për t’u angazhuar në shkëmbime të menjëhershme të të burgosurve nga të dyja palët”.
Shtëpia e Bardhë tha pas votimit të së hënës se abstenimi i SHBA “nuk përfaqëson një ndryshim në politikë” dhe se rezoluta “nuk kishte gjuhë që SHBA e konsideron thelbësore”.
Ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield tha se SHBA “mbështet plotësisht” “objektivat kritike” të rezolutës pavarësisht abstenimit të saj./Skynews/