Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila e mbështet planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës.
Rezoluta gjithashtu autorizon një forcë ndërkombëtare për stabilizim në enklavën palestineze.
Izraeli dhe grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe fuqi të tjera, Hamas, u pajtuan muajin e kaluar për fazën e parë të planit 20-pikësh të Trumpit për Gazën- një armëpushim në luftën e tyre dyvjeçare dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Por, rezoluta e OKB-së shihet si thelbësore për ta legjitimuar një organ të përkohshëm qeverisës dhe për t’iu ofruar garanci vendeve që po shqyrtojnë dërgimin e trupave në Gazë.
Teksti i rezolutës thotë se shtetet anëtare mund të marrin pjesë në Bordin e Paqes të kryesuar nga Trumpi, i konceptuar si një autoritet tranzitor që do ta mbikëqyrte rindërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike të Gazës.
Ai gjithashtu autorizon forcën ndërkombëtare të stabilizimit, e cila do të siguronte procesin e çmilitarizimit të Gazës, përfshirë shkatërrimin e armëve dhe infrastrukturës ushtarake.
Hamas, në një komunikatë, e përsëriti se nuk do të çarmatoset dhe argumentoi se lufta e tij kundër Izraelit është qëndresë legjitime.
“Rezoluta vendos një mekanizëm të kujdestarisë ndërkombëtare mbi Rripin e Gazës, të cilin populli ynë dhe fraksionet tona e kundërshtojnë”, tha Hamas në komunikatën e lëshuar pas miratimit të rezolutës.
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Mike Waltz, ambasadori amerikan në OKB, tha se rezoluta, e cila përfshin planin 20-pikësh të Trumpit si aneks, hap një rrugë të mundshme drejt vetëvendosjes për palestinezët … ku në vend të raketave do të ketë degë të ullirit dhe ku ekziston mundësia për t’u pajtuar për një horizont politik.
Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, e kishte lënë të hapur më herët mundësinë e kundërshtimit, por u përmbajt nga votimi, duke lejuar që rezoluta të kalojë.
Ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në OKB, që gjithashtu u përmbajtën, u ankuan se rezoluta nuk i jep OKB-së rol të qartë në të ardhmen e Gazës./S.K/EO/REL/
