Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) do të mbajë një takim urgjent të enjten për të trajtuar krizën në kompleksin bërthamor të Zaporizhzhia-s të Ukrainës, termocentralin që Kievi dhe Moska e akuzojnë njëra-tjetrën për bombardime, thanë burimet diplomatike.
Një burim në presidencën e Këshillit të Sigurimit, që aktualisht mbahet nga Kina, i tha AFP të mërkurën se takimi do të zhvillohet më 11 gusht në orën 15:00 (1900 GMT).
Një burim i dytë diplomatik në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York tha se 15 vendet anëtare të këshillit do të mblidhen me kërkesë të Rusisë, një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit – së bashku me Britaninë, Kinën, Francën dhe Shtetet e Bashkuara – që mbajnë të drejtën e vetos mbi rezolutat e OKB-së./UBTNews/