Pas deklarimit të SBAShK-ut se nuk do të mbahet mësimi të shtunën edhe Këshilli i Prindërve ka ritheksuar se prindërit nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë të shtunave.
Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi ka thënë se mbajtja e mësimit të shtunave i lodh dhe i mërzit fëmijët dhe sipas tij, ua mohon të drejtën për aktivitete jashtëshkollore, andaj ai tha se kjo është e papranueshme për ta.
“Prindërit janë deklaruar fuqishëm kundër mësimit të shtunave. Kjo në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve e kundër askujt. Mësimi të shtunën i lodh dhe i mërzit fëmijët dhe ua mohon të drejtën për aktivitet jashtëshkollor. Andaj është i papranueshëm për ne”, ka thënë Demi për Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot SBAShK-u tha se nuk do të mbajnë mësim të shtunave, pasi sipas kryetarit Jasharaj, kompensimi i orëve të humbura ishte vendim i njëanshëm i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Sipas vendimit të MAShTI-t, tetë ditë mësimore që nuk u mbajtën për nxënësit nga klasa e parë deri në të tetën do të zëvendësohen gjatë të shtunave. Ndërkaq, gjysmëvjetori i parë për nivelin parauniversitar të përfundojë më 27 janar dhe pushimi dimëror do të nisë më 30 janar dhe të zgjasë deri më 3 shkurt të vitit 2023.
Gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2022-2023 të nisë më 6 shkurt dhe pesë ditët e mbetura mësimore do të mbahen gjatë pushtimit pranveror në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Viti shkollor të përfundojë në data të ndryshme për nivelin e arsimit parauniversitar. Maturantët ta përfundojnë vitin shkollor më 5 qershor, klasat e nënta, e dhjeta dhe të njëmbëdhjeta më 27 qershor dhe parafillorët më 30 qershor të vitit 2023.