Arsimtarët e gjimnazit “Sami Frashëri” po vazhdojnë ta bojkotojnë mësimin përshkak të emërimit të Fahrije Rartkocerit, drejtoreshë në këtë shkollë.
Mirëpo, Këshilli i Prindërve në Prishtinë kanë reaguar lidhur me bojkotin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet, duke shprehur pakënaqësitë lidhur me këtë bojkot që po ndodhë tash e katër ditë.
Në reagim thuhet se është e papranueshme bojkoti i procesit mësimor nga një grup i arsimtarëve, meqë këtë çështje siç thonë ata duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse.
“Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh pakënaqësinë e papranueshmërinë e plotë me bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë – tashmë për të katërtën ditë. Arsyeja përse një grup arsimtarësh atje po shkaktojnë bojkotimin e plotë të procesit mësimor, për shkak të pakënaqësive me përzgjedhjen e drejtorit të ri, në procedura të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse të arsimit, është krejtësisht e pajustifikueshme, kur këtë çështje duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse. Vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë, në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë (e edhe rrezikimit fizik të tyre nga shprehjet e pakontrolluara të pakënaqësisë), shfaq dhe tregon për prezencën dhe ndikimin që kanë strukturat joformale nëpër shkolla tona, dhe të cilat tentojnë të imponojnë me mjete joligjore vendimet e tyre krejt njëanshëm e jashtë rrugëve institucionale”, thuhet në reagim.
Ata theksojnë se “Në asnjë kontratë, udhëzim, rregullore a ligj nuk ekziston baza juridike që arsimtarët të bojkotojnë mësimin për çështje që fare nuk kanë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes. Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mosmbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme!”.
Këshilli i Prindërve të Prishtinës iu kanë bërë thirrje institucioneve vendimarrëese për arsimin që të marrin masa që të ndërpritet bojkotimi dhe mësimi të rifilloj.
“Iu bëjmë thirrje institucioneve vendimmarrëse për arsimin në kryeqytet: Komunën e Prishtinës, Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit që pa asnjë vonesë të marrin masa që bojkotimi të ndërpritet dhe mësimi të rifilloj. Lëreni lojërat e mos i përdorni fëmijët tanë si mish për top! Shkollat janë për fëmijët e të fëmijëve”, përfundon reagimi.
Ndërkohë që ditë më parë KosovaPress ka raportuar lidhur me bojkotimin e mësimit përshkak të emërimit të drejtoreshës Ratkoceri.
Ndërsa të premten zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tregoi se Inspektorati i Arsimit ka iniciuar procedura gjyqësore rreth përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave në Komunën e Prishtinës. Sipas tij inspektorati ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që të mos e zbatojë vendimin që kanë marrë si komunë, por që një gjë të tillë ata nuk e kanë përfillë.