Këshilli i Prindërve të Kosovës përmes një njoftimi për media ka treguar se janë kundër kompensimit të orëve të humbura si pasojë e grevës.
Në reagimin e Këshillit thuhet se mësimi të shtunave e dëmton procesin mësimor për ditët e tjera të javës.
“Prindërit e deklaruar për Këshillin e Prindërve të Kosovës në shumicë absolute janë kundër zhvillimit të mësimit të shtunave – për kompensimin e orëve të humbura nga greva. Shumë prej tyre janë deklaruar me revoltë se as nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë. Këshilli i Prindërve vlerëson se prindërit kanë plotësisht të drejtë të reagojnë në këtë mënyrë, për çka edhe kemi paralajmëruar qysh në fillim të grevës. Mësimi të shtunave jo vetëm që nuk i shërben kompensimit të orëve, por ashtu e dëmton edhe procesin mësimor për ditët e tjera të javës, për shkak të lodhjes dhe mërzitjes së fëmijëve. Këtu duhet shtuar edhe faktin shumë të rëndësishëm që me dhjetëra mijëra fëmijë në gjithë Kosovën gjatë fundjavave marrin pjesë në aktivitete e gara të ndryshme sportive e të artit, për çka Ministria e Arsimit, por edhe ajo e Kulturës dhe Sportit, duhet të kishin pasur konsideratë të veçantë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Në reagimin e Këshillit mes tjerash thuhet se as prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato.
“Është shumë e padrejtë dhe e papranueshme që fëmijëve tanë, pasi iu mohua e drejta kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim, t’iu mohohet tani edhe e drejta për pushim, e mbi këtë edhe e drejta për aktivitete jashtëshkollore. Fëmijët kanë të drejta dhe prindërit obligohemi t’i mbrojmë!”, përfundon reagimi./UBTNews/