Këshilli i Evropës ka larguar imazhet nga një fushatë e mediave sociale që promovon diversitetin midis grave dhe lirinë e tyre për të veshur hixhabin, transmeton UBT News.
Posterat që shfaqnin gra të reja të veshura me mbulesë u hoqën nga Twitter vetëm disa ditë pas fillimit të projektit. Fushata ka shkaktuar një reagim të fortë nga politikanët e lartë francezë mbi vlerat laike.
Organi më i lartë i të drejtave të njeriut konfirmoi se postimet në mediat sociale ishin hequr pasiqë po “reflektojnë për një prezantim më të mirë”. Ata nuk konfirmuan nëse vendimi për të tërhequr elementët e fushatës ishte rezultat i kritikave franceze, shkruan Euronews, përcjell UBT News.
Disa e kanë kritikuar veprimin duke thënë se kjo tregon mungesë respekti për të drejtën e grave për të zgjedhur se çfarë të veshin.
Ndërsa Këshilli i Evropës thotë se projekti “Freedom in the hijab” synonte të festonte diversitetin dhe gjithëpërfshirjen e Evropës.
Projekti u lansua javën e kaluar nga organizata e të drejtave të njeriut me bazë në Strasburg përmes Programit të tyre Përfshirje dhe Kundër Diskriminimit. Fushata u bashkëfinancua nga Bashkimi Evropian.
Projekti shfaqte imazhe të vajzave, me njërën anë të fytyrës me mbulesë dhe tjetrën jo. Mesazhet krahas imazheve lexonin, “bukuria është në diversitet ashtu siç është liria në hixhab”.
“Sa e mërzitshme do të ishte bota nëse të gjithë dukeshin njësoj?” shkuhej në një slogan tjetër.
Projekti shkaktoi një reagim të madh në Francë midis politikanëve. Sekularizmi dhe simbolet e Islamit kanë shkaktuar debat në parlamentin fracez për disa muaj, përpara zgjedhjeve presidenciale të vendit në 2022.
Marine Le Pen, një kandidate presidenciale për partinë e ekstremit të djathtë Rassemblement National, e kishte përshkruar më herët fushatën si “skandaloze dhe të pahijshme”.
“Është kur gratë heqin mbulesën ato bëhen të lira, jo anasjelltas”, shkroi Le Pen në Twitter.
Ish-negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, një tjetër kandidat presidencial i krahut të djathtë, bëri thirrje gjithashtu që fushata të “largohej”.
Ministrja franceze për të drejtat e grave Laurence Rossignol deklaroi gjithashtu se fushata kishte “promovuar” hixhabin.
Megjithëse postimet në mediat sociale u hoqën pas dënimit politik në Francë, Këshilli i Evropës nuk konfirmoi se kishte ndonjë lidhje.
Në një deklaratë për Euronews, një zëdhënës konfirmoi se fushata ishte pjesë e një projekti të përbashkët me BE-në. Projekti synonte “të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën për të respektuar diversitetin dhe përfshirjen dhe për të luftuar gjuhën e urrejtjes të të gjitha llojeve”, sipas tyre.
“Tweetet pasqyronin deklarata të bëra nga pjesëmarrësit individualë në një nga punëtoritë e projektit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e Këshillit të Evropës ose të Sekretarit të Përgjithshëm të tij [Marija Pejçinoviq Buriç]”.
“Ne i kemi hequr këto mesazhe ndërkohë që mendojmë për një prezantim më të mirë të këtij projekti”.
Komisioni Evropian, i cili ka kontribuar me 340,000 euro në projektin e përgjithshëm, është distancuar gjithashtu nga imazhet e fushatës.
“Pozicioni ynë është jashtëzakonisht i qartë: gratë duhet të jenë në gjendje të veshin atë që duan, sipas ligjeve të vendit ku jetojnë”, shtohet në një deklaratë./UBTNews/