Siguria e furnizimit me energji në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi energjetik i rajonit me BE-në, do të jenë temë diskutimi në takimin e Këshillit të përbashkët të Energjisë BE-SHBA.
Teksa pritet të adresojnë shqetësime si rritja e çmimit të energjisë, tranzicioni drejt energjisë së pastër dhe tensionet aktuale me Rusinë, përfaqësuesit e administratës Biden dhe atë të BE, përmendin edhe Ballkanin Perëndimor në draft deklaratën që duhet ende të miratohet.
“Këshilli përsërit rëndësinë e ndërtimit të një sistemi konkurrues, transparent dhe të integruar energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe tregjet e asociuar, reformat e rregullatorëve në përputhje me politikën e zgjerimit dhe obligimet nga Traktati i Komunitetit të Energjisë”.
Këshilli po ashtu mbështet dekarbonizimin e sistemit të energjisë në Ballkanin Perëndimor, që nënkupton largimin gradual nga prodhimi i rrymës përmes qymyrit dhe orientimi drejt burimeve me pak ndotëse. Edhe për Ballkanin Perëndimor, SHBA-ja dhe BE-ja duan që të kenë më shumë burime alternative të energjisë, në mënyrë që furnizimi me energji të jetë më i sigurt dhe më pak i varur nga burimet e kufizuara.
Në takim marrin pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sekretarja amerikane për Energji, Jennifer Granholm, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, komisionarja evropiane për Energji, Kadri Simson dhe përfaqësues të tjerë amerikanë dhe evropianë. Edhe në takimin që i kushtohet energjisë, BE-ja dhe SHBA-ja pritet të nënvizojnë rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.