Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim Bordin Drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASh), kryesuar nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, me ç’rast, Këshilli i ambasadorëve shqiptarë shprehu përkrahjen për aplikimin e sotëm të Kosovës për anëtarësim në BE.
Duke biseduar për vendimin për aplikimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, Kurti theksoi se i përgjigjet thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve të Republikës që thellësisht besojnë se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian.
Siç informoi qeveria, në takim u theksua besimi se momenti është i duhur, duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon.
Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë shprehu mbështetjen e pakursyer për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
“U bisedua për mundësitë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të nismave në mbështetje të proceseve integruese të Republikës së Kosovës”, u bë e ditur në komunikatë.