Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan nënshkruan sot në Tiranë deklaratën e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik, përmes krijimit të një Këshilli bashkëpunimi të një niveli të lartë.
Më pas ministrat e dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë firmosën 3 marrëveshje bashkëpunimi.
Një ndër marrëveshjet e nënshkruara mes Turqisë dhe Shqipërisë është deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë, e cila u firmos nga Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ibrahim Yumakli, ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë.
Marrëveshja tjetër e firmosur është protokolli ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri. Kjo marrëveshje u firmos nga për palën shqiptare nga Ogerta Manastirliu, ministër i Arsimit dhe Sportit dhe për palën turke nga Erol Ozvar, President i Kryesisë së Këshillit të Arsimit të Lartë e Republikës së Turqisë.
Po ashtu, mes dy vendeve u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin. Për palën shqiptare memorandumi u firmos Alteo Hysi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Media dhe Informim dhe për palën turke Fahrettin Altun, Drejtor i Komunikimit të Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë.