Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka shprehur shqetësim lidhur me vonesat në pagë të minatorëve të minierës “Trepça Sh.A”.
“Në kohën kur në ndërmarrjen ‘Trepça SH.A’ do të duhej të synohej zhvillimi i qëndrueshëm si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë e jetike për mirëqenien sociale të punëtorëve dhe interesin e përgjithshëm publik, punëtorët e kësaj ndërmarrje nuk po i gëzojnë me kohë as pagën, si një e drejtë bazike që garantohet me të gjitha aktet juridike vendore e ndërkombëtare. Referuar njoftimit të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës (SPMT), edhe pse është fundi i muajit korrik, minatorëve nuk u janë ekzekutuar pagat as të muajit qershor. Për një situatë të tillë, që ka ndodhur edhe në të kaluarën, është e domosdoshme që të gjendet zgjidhje afatgjate dhe bashkëpunim e mirëkuptim mes palëve”, thuhet në reagim.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike vlerëson se ankesat e minatorëve janë të arsyeshme e legjitime prandaj të njëjtat kërkojnë që të adresohen në mënyrë të plotë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje me rëndësi të veçantë.
“Për më tepër, kërkojmë nga ana të gjitha institucioneve përgjegjëse që të marrin parasysh edhe kërkesat e vazhdueshme të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës si dhe të ndërmerren hapa konkret sa i përket avancimit të kushteve dhe sigurisë në punë të minatorëve”, thuhet në reagim.
Lidhur me zhvillimet në ndërmarrjen “Trepça”, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës. Kjo e fundit shprehet se është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen “Trepça” si dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike. Megjithatë, nuk ka përmend konkretisht edhe çështjen e mos realizimit të pagave, ose zgjidhjen e kërkesave të minatorëve./UBTNews/