UBT News

Kërkohet që rasti i Darko Tasiq të kthehet në rigjykim

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione është takuar  me përfaqësuesit e fshatrave Krushё e Madhe dhe Krushё e Vogël, i pranishëm ishte edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Përfaqësuesi i Krushës së Madhe, Selami Hoti, tha se kanë humbur çdo shpresë për gjetjen e familjarëve të tyre.

“Tashmë kur kemi humbur çdo shpresë për t’i gjetur të gjallë, çështja është sjellja para drejtësisë e të gjithë kriminelëve. Institucionet e drejtësisë ndërkombëtare nuk na shëruan shpirtin. Në tërë Kosovën kurrë nuk i prangosën kriminelët”, deklaroi ai.

Ai tha se janë mbledhur për të diskutuar për uljen e dënimit për Darko Tasiqit, pas vendimit të Apelit, duke shtuar se duan drejtësi.

“Ne nuk duam të ndërhyjmë në gjyqësi, por duam drejtësi profesionale. Ne duam vetëm drejtësi dhe po ju lus të siguroni avokat. Ne duam të dimë për secilin anëtar të familjeve tona. Për secilën shoqatë ta angazhoni një avokat që të na përfaqësojnë para secilit institucion. Ne duam vetëm drejtësi”, theksoi ai.

Gani Zylfiu, përfaqësues i Krushës së Vogël, ka kërkuar nga deputetët që të bëjnë gjithçka që është e mundur që Tasiqit mos t’i ulet dënimi.

“Ne kemi ardhur të kërkojmë ndihmë nga deputetët. Ne duam që ai të dënohet për krime e kryera në Krushë”, tha Zylfiu.

Fahrije Hoti ka kërkuar nga Avokati i Popullit dhe partitë politike që të shqyrtojnë vendimin e Apelit, raporton EO.  

“Nuk jemi të kënaqur me drejtësi që është shqiptuar dënim nga 22 në 11 vjet për Darko Tasiqi, i cili ka vra ka masakruar njerëz të gjallë dhe sot nuk dimë për personat e pagjetur. Kjo është Kosova fatkeqësisht dhe kjo është drejtësia”, deklaroi ajo.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj theksoi se është e vështirë për të diskutuar për një çështje kaq të ndjeshme.

“Unë si Avokat dua të shoh përtej një rasti të caktuar se a kemi arritur t’i ofrojmë drejtësi viktimave të luftës. Dhe a kemi arritur për t’i dënuar ata që kanë kryer krime”, deklaroi Qelaj.

“Nga vlerësimet që kam gjetur në këtë institucion konsideroj që si shtete kemi bërë pak në këtë drejtim dhe nuk mund të jemi të kënaqur”, shtoi ai më tej.

Qelaj tha se duhet shikuar nëpër cilat procese ka kaluar Kosova sa i përket personave të pagjetur pa dashur t’i adresohet faji askujt.

“Drejtësia ka mbetur e pa trajtuar. Në të ardhmen në një periudhë jo shumë të largët sepse do hetim të mirëfilltë me pa se cila është gjendja e të drejtave që u takojnë qytetarëve tanë që kanë përjetuar çfarëdo krimi”, deklaroi ai.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka kërkuar që rasti i Darko Tasiqit të kthehet në rigjykim, raporton EO.

“Ne po kërkojmë një kthim të procesit dhe nuk ka arsye të mendohet ndryshe. Avokati i Popullit duhet që të merret me këtë rast”, tha ajo.

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci tha se nuk mjafton vetëm angazhimi i Avokatit të Popullit në këtë proces.

“Duhet t’iu shpjegohet procesi secilit anëtar të familjes dhe t’iu dëgjohet zëri secilit prej tyre. Nuk mjafton vetëm Avokati, por ekipi të njerëzve që e trajtojnë këtë pjesë si në aspektin financiar, por edhe të ekipit brenda policisë dhe prokurorisë”, deklaroi Bogujevci.

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, tha se duhet të ftohet në raportim Këshilli Gjyqësor.

Exit mobile version