UBT News

Kërkohet që leja e lehonisë dhe ajo prindërore për të punësuarit të rregullohet me ligjin e ri të punës

Leja e lehonisë dhe leja prindërore për të punësuarit po kërkohet që të rregullohet me ligjin e ri të punës. Ne diskutimin mbi ketë ligj, u tha se ligji aktual po mundëson diskriminimin e grave.

Forumi Ekonomik i Grave (WEF) në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Iniciativa për Stabilitet në Kosovë (IKS) po mban diskutimin mbi Ligjin e punës – dispozitat që rregullojnë lejen e lehonisë dhe lejen prindërore për të punësuarit.

Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) tha se ligji aktual lejon që punëdhënësit të diskriminojnë gratë.

“Janë jashtë muaj e parë me pagesë me mbulueshmëri me 70 për qind të pagës. Edhe tre muaj të shfrytëzimit, 3 muaj pa pagesë për nënat e reja. Sa i përket pushimit të atësisë ka diskrepancë. Edhe kjo konsiderojmë që është e paktë, një e drejtë e cila nuk ju takon burrave me ligjin aktual. Pushimi prindëror duhet të konsiderohet një e drejtë e barabartë mes burrave e grave. 71 për qind e qytetarëve mendojnë që pushimi duhet të jetë i barabartë”, ka thënë ajo.

Ajo ka propozuar modelin e ri të lejes së lehonisë.

“Gjashtë muajt e parë për nënën me pagesë nga buxheti i Kosovës. Këta gjashtë muaj të ketë të drejtë babai të pushojë një muaj. Tre muajt në vijim me i marrë si pushim prindëror, ku paguan punëdhënësi, një muaj të ketë mundësi edhe babai. Dhe tre muajt tjerë pa pagesë”, ka shtuar ajo.

Besa Luzha nga Fondacioni Friedrich Ebert theksoi se Ligji i Punës nuk po zbatohet për gratë.

“Ka pasur përpjekje për të ndryshuar dhe mundësuar një qasje më të mirë të gruas në tregun e punës. Por rrethanat kanë sjellë në status quo sa i përket kësaj çështje”, shtoi ajo.

Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave tha se që nga viti 2017 është parë se një nga barrierat pse gratë janë jashtë tregut të punës ka qenë Ligji i Punës.

“Këto dispozita kërkojmë vëmendje të lartë, sepse kemi të bëjmë për gjysmën e popullsisë. Shumë gra u diskriminuan duke u pyetur edhe në intervista të punës për planifikimin familjar. Demografia e Kosovës tregon se popullsia është e re. Balancimi i jetës është i garantuar edhe me ligjet evropiane. Draftimi i ligjit ka ende zbrazëtira dhe ne bëjmë thirrje që kjo të ndryshohet para se të kaloje në Kuvendin e Kosovës për miratim”, ka thënë ajo.

Edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mullhaxha Kollçaku tha se leja e lehonisë dhe leja prindërore duhet të rregullohet me Ligj të Punës.

Exit mobile version