UBT News

Kërkohet që Kuvendi ta trajtoj rregullimin e tregut të energjisë

Rregullimi i tregut të energjisë, liberalizimi, ligji i naftës dhe pasojat e shkaktuara nga pandemia tek bizneset duhet të trajtohen në kuvend.

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot është mbajtur një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit të biznesit dhe parlamentit për trajtimin e kërkesave dhe shqetësimeve që mund të kenë odat ekonomike.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala shprehu gatishmërinë për çdo iniciativë sociale dhe ekonomike që duhet trajtuar nga Kuvendi për komunitetin e biznesit.

“Ne do t’i trajtojmë të gjitha shqetësimet e odave ekonomike, duke shqyrtuar ato me anë të ligjeve”, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ngriti në këtë takim disa shqetësime që kërkojnë të trajtohen sipas tij nga kuvendi. Rukiqi tha se rregullimi tregut të energjisë, liberalizimi, ligji i naftës dhe pasojat e shkaktuara nga pandemia tek bizneset duhet të trajtohen në kuvend.

Për këtë ai tha se bashkëpunimi me kuvendin është i një rëndësi të veçantë, pasi ligjet siç tha ai filtrohen në kuvend.

“Ka ngecje për zbatim të disa ligjeve, prandaj na duhet një bashkëpunim me kuvendin kur ligjet ngecin së zbatuari dhe nuk ka rezultate edhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike. Tregu i energjisë duhet të jetë prioritet për neve dhe për juve për t’u trajtuar. Hapja e tregut duhet të ndodhë në disa faza. Po ashtu edhe në vitin 2022 dhe 2023 do të vërehen pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid-19”, tha ai.

Në këtë takim Rukiqi për zonat e ekonomike vlerësoi se ka pasur dështim, për të cilat ai kërkoi funksionalizimin e tyre.

Exit mobile version