Familjarët e personave të pagjetur po kërkojnë nga kryeministri Kurti që në takimin e parë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të mbajë fjalën e dhënë në fushatë dhe të ngre zërin për zbardhjen e fatit të personave të cilët janë zhdukur që nga lufta e fundit. Ata janë të gatshëm që sa herë të diskutohet kjo çështje të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës që do të jetë përgjegjës për dialogun.
Takimi i kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk po mirëpritet nga familjarët e personave të zhdukur gjatë luftës. Ata po shprehen të zhgënjyer që i pari i qeverisë do të shkojë për takim në Bruksel ani pse nuk është zbardhur fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës.
Të njëjtit deklarohen të gatshëm të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë vetëm nëse do të flitet për të pagjeturit. Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje nëse çështja e personave të zhdukur do të jetë temë e diskutimit në takimin që do të mbahet në Bruksel, e as nëse familjarët e personave të zhdukur do të ftohen të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës.
Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, thotë se janë të zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimeve nga kryeministri Kurti se nuk do të ketë dialog pa u zbardhur fati i personave të zhdukur gjatë luftës.
“Politikanët tanë duhet të qesin kusht dhe duhet ta mbajnë fjalën të cilën e kanë dhënë edhe para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve, po dhe kur po i vyejnë për poenë politike po i përmendin të pagjeturit, përndryshe nuk i përmendin hiç. Kërkesë kryesore ka qenë që në Bruksel të flitet për persona të pagjetur si pikë e rendit të ditës e para. Tash po shoh që bisedohet për dialog, bisedohet që do të shkojë do të flas drejtpërdrejtë me Vuçiqin, po jo temën e të pagjeturve. Vuçiqi e dinë mirë ku janë por nuk do të tregojë, edhe mos pritni, as të mos presin asnjë politikan se politikanët e Serbisë tregojnë ku janë më të dashurit tanë”, thotë ai.
Çerkini shprehet i gatshëm që të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në dialog vetëm kur flitet për të pagjeturit.
Ai potencon se janë pikërisht familjarët që disa çështje i shtrojnë më hapur, teksa thotë se janë politikanët ata që duhet të bëjnë presion mbi palën serbe që të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur.
“Familjari duhet të shkojë në qoftë se dikush të pyet pse je këtu, t’ju tregojë gjëra konkrete dhe kur të vish në Kosovë më lehtë unë ia shpjegoj familjarëve. Për këtë do shkoja, për të shkuar të bëj trysni unë në Bruksel e çështja e dialogut politik është trup, a kur folët për të pagjeturit me qenë prezent pse jo, se janë disa gjëra që familjari i thotë hapur, nuk trembet as prej atij, as prej atij”, thotë ai.
Duke qenë se takimi është paralajmëruar se do të mbahet në mes të këtij muaji, kryetari i Këshillit koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmet Grajqevci, thotë se Kurti e ka shansin të dëshmojë se ju qëndron prapa të gjitha premtimeve të bërë gjatë fushatës zgjedhore.
“Kryeministri Kurti gjatë fushatës e ka pasur gojën plotë me personat e zhdukur, krimet e luftës, dëmet e luftës dhe tash ndoshta është me një agjendë më të ngarkuar, por shpresoj që shansin e ka në takimin e parë që të tregojë veten me Vuçiqin për të gjitha këto. Nëse kërkon materiale dhe të dhëna për të vërtetën e krimeve, të gjitha i ka”, thotë ai.
KosovaPress ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga Qeveria e Kosovës nëse çështja e personave të zhdukur do të jetë pjesë e agjendës dhe se a do të ftohen familjarët që të jenë pjesë e delegacionit, por që nuk ka marrë përgjigje.