UBT News

Kërkohet paraburgim për 11 të arrestuarit në aksionin e djeshëm të Policisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 11 të arrestuarit në aksionin policor që u zhvillua dje.

Prokuroria Themelore përmes një komunikate për media sqaron se personat që u arrestuan janë S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërkaq A.N (ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agim Nuha) vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Sipas njoftimit të Prokurorisë janë konfiskuar 433 mijë e 160 euro.

“Nga kjo bastisje e realizuar janë konfiskuar: rreth 433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona,  8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë”, thuhet në njoftimin për media.

Prokurori i Shtetit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për personat me inicialet S.Sh., L.S., H.M., B.N., K.Z. dhe A.U., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së.

“Për personat me inicialet D.A., P.K., Sh.K., K.B-S.,  ka paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Dhënie e ryshfetit”, nga neni 422 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, si dhe për personin me inicialet S.S., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim./UBTNews

Exit mobile version