Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Lindje, tani të pandehurve N.S., N.K. dhe F.K., të cilët janë ndaluar gjatë ditës së djeshme lidhur me rastin “Karaçeva”.
“Sipas kërkesës, dyshohet se të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë muajit dhjetor 2019 në zonën e fshatrave të brezit kufitar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në mënyrë të vazhdueshme, kanë ndihmuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprave penale, ashtu që personave të ndryshëm iu kanë mundësuar kontrabandimin e mallrave, të cilët kanë kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor”, njofton Themelorja.
Të njëjtit dyshohet se kanë udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohë të kalojnë, ku me veprimet apo mosveprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë të papërcaktuar.
Të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me mallra”, dhe u ndaluan nga PK-ja për 48 orë./UBTNews